zaterdag 4 januari 2014

Poetët apelojnë

Poetët  apelojnë












Nisma letrare e ndërmarrë nga Bordi Drejtues Galaktika Poetike “ATUNIS” dhe bashkëpunimit të Ministrisë së Diasporës Kosovë, ka gjetur konkretizimin e zhvillimit të aktivitetit letrar “Poetët Apelojnë”, event i cili u krye me sukses të plotë në dt 25-26 Korrik , në Prishtinë. Pjesmarrja e autorëve nga mbarë trevat shqiptare dhe diaspora, angazhimi maksimal i organizatoreve Hasije Selishta (Kryeziu) dhe Shefqete Goslaci, si dhe interesimi i drejtëpërdrejtë i vetë Ministrit të Diasporës Z. Ibrahim Makolli, pjesmarrjes së Kryetares së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Znj Flora Borovina dhe përfaqësuese të tjerë të lartë, krijuan mjedisin dhe perfomancën për një aktivitet sa cilësor po dhe kaq elitar. Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë do të niste sipari i çeljes së këtij eventi, ku në fjalën e hapjes Znj Hasije Selishta do të falenderonte pjesmarrësit, Ministrinë e Diasporës për mbështetjen e dhënë, si dhe do të bënte një panoramë të shkurtër të gjithë takimit. Së fundi ajo theksoi rolin dhe rëndësinë e takimeve të tilla, frymën e bashkëpunimit që duhet të kenë autorët kudo që jane e jetojnë me njëri-tjetrin dhe i ftoi ata që të bëhen misionarë të shpërndarjes së gjuhës dhe kulturës shqipe në vendet ku jetojnë.
Në fjalën e tij Ministri i Diasporës Z Makolli shprehu impresionimin e tij për takimin letrar, vlerësoi kontributin e gjithë autorëve në diasporë, të cilët kanë shërbyer si hallka dhe ura më e mirë e komunikimit midis vendeve ku jetojnë dhe Kosovës dhe së fundi ai dha garanci të tjera bashkëpunimi edhe për të ardhmen.
Znj Flora Borovina, do e quante diasporën si pikën e dhimbjes së një kombi, si lotin e përmallimit për vendlindjen dhe kjo forcë e madhe shpirtërore dhe kulturore, e cila vepron me efikasitet të plotë në Evropë dhe Amerikë tejçon dhe përcjell pareshtur krenarinë tonë të ligjshme kombëtare.
Rita Saliu do të sillte emocionet dhe jetën reale aktive letrare në Amerikë, për të vazhduar më pas me përshëndetjet nga Shoqata e Shkrimtarëve të Gjermanisë përfaqësuar nga Nën / Kryetari saj Z Neki Lulaj, nga Brukseli me Kordinatoren e Shkrimtarëve të Belgjikës Znj Shqiponja Duro, nga Londra me Znj Sadije Kryeziu, nga Suedia (Remzi Basha), nga Zvicra (Ajet Shala), nga Danimarka (Riza Kçiku), nga Greqia( Genta Kaloçi), nga Kanadaja ( Ismail Mustafaj), nga Austria (Gjergji Rustaj), nga Mali Zi (Anton Gojçaj), nga Maqedonia (DR Nehas Sopaj), nga Shqipëria (Namik Selmani) nga Presheva (Bilall Maliqi) etj.
Vlen të theksohet se në përshëndetjen e tij, Z Bilall Maliqi do të fliste edhe për kushtet historike dhe letrare që po kalon sot terva shqiptare e mbetur jashtë kufijve natyrorë të Kosovës (Preshevë-Bujanoc), për represionin e vazhdueshëm serb dhe sulmin e simboleve të lirisë, për qëndresën dhe të drejtat e tyre për vetëvendosje.
Moderimi aktivitetit nga Znj Shqiponja Duro, akuartiteti krijuar nga grupi kitarist i fëmijëve dhe recitimet e poetit Nehat Hoxha do përbënin larminë dhe bukurinë e gjithë pjesës së parë të këtij aktiviteti, i cili së fundi do përmbyllej me leximin e: Deklaratës së Apelit Poetik :


DEKLARATA UNIVERSALE

Poetët dhe artistët shqiptarë, si pjesë e vlerave dhe progresit shoqëror mbarëkombëtar, si përfaqësues të lirive themelore dhe të drejtave universale, si shprehje dhe mishërim i kontributeve për nje diversitet kulturash dhe unifikim të mendimit më përparimtar, si lajmëtarë të paqes, mirëkuptimit dhe respektit për njohje, bashkëpunim dhe harmoni, u bën thirrje gjithë autorëve dhe artistëve në mbarë botën që të bëhen pjesë e trasmetimit të këtij mesazhi dhe të ndikojnë në të gjitha istancat e tyre shtetërore për njohje të shtetit të Kosovës, respektim të sovranitetit të saj, krijim marrëdhëniesh diplomatike dhe bashkëpunim të gjithëanshëm në të gjitha fushat politike, ekonomoke dhe sociale, që edhe qytetarët e saj të aspirojnë me të drejta të plota dhe të përfaqësohen denjësisht në në të gjitha organizmat Ndërkombëtare, si komb i lirë, i pavarur dhe me të drejta të barabarta.
Bordi Drejtues Galaktika Poetike “ATUNIS”

Seanca e dytë do niste në orët e mabasdites në Orllan, me vizitën e kryer tek kulla e heroit dhe martirit të Kosovës Zahir Pajaziti. Me këtë rast i gjithë grupi i poetëve dhe shkrimtarëve vizitoi ambjentet e jashtme të saj, e cila edhe pse ishte në restaurim ruante gjithë formën dhe arkitekturën e plotë , zhvilloi homazh para varrit të heroit dhe në shenjë të thellë respekti u mbajt një minutë heshtje. Interpretusi dhe poeti Ismet Krasniqi, në nder të veprës së pavdekshme të Zahir Pajazitit, aktroi një pjesë nga jeta e tij, aktrim që u ndoq dhe u përjetua nga gjithë të pranishmit me emocione shumë të mëdha.
Pas cermonisë i gjithë grupi krijuesve u drejtua në ambientet e Lokal “ADRIATIK”, për zhvillimin e seancës së dytë “Ora Poetike”. Pamja magjepëse dhe vështrimi nga Liqeni, i jepnin interpretimive poetike gjithe sensualitetin dhe mjedisin e duhur për recitime. Nën moderimin e Agim Deskut, ku vlen të përmendet intrpretimi i But Jakut, Qerim Raqit, Iliriada Ismaili, Shefqete Goslaci, etj poetët krijuan të tjera emocione të pashlyeshme dhe i dhanë tjetër atmosferë ditës së parë të aktivitetit.



Dita e nesërme do fillonte me seancën e fundit të gjithë këtij eventi, seancë e cila nisi nga ambientet e hotel “Kazablanka” dhe që kishte në fokus bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e gjithë krijuesve në shërbim të gjithë kulturës kombëtare. Në këtë diskutim të hapur, i cili ndiqej edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës, në emër të Bordit Drejtues: Galaktika Poetike “ATUNIS”, foli kryetarja e këtij Bordi, znj Hasija Selishta, e cila u ndal tek mënyra e organizimit të kësaj lidhjeje letrare, mënyrën e komunikimit dhe bashkëpunimit me autorët ndërkombëtërarë, hartimi antologjive letrare të përbashkëta, risisë krijuese dhe angazhimeve serioze në evente gjithëpërfshirëse, urave të komunikimit që duhet të ngrihen nga mbarë shoqatat letrare shqiptare, etj.
Anton Gojçaj do bënte një rezome të plotë rreth situatës letrare në Mal të Zi, rreth përpjekjeve për publikimet e revistave letrare atje, funksionimit të shoqatave si dhe nevojën për bashkëpunime të frytshme për të përçuar sa më mirë dhe sa më me dinjitet fjalën shqipe.
Dr Nehas Sopaj u ndal më shumë tek semantika e flalës, tek kriteri letrar që duhet të kete një vepër e mirëfilltë, tek funksionimi i kritikës sot dhe tek analitika dhe pasqyrimi real që i duhet berë veprës letrare.
Namik Selmani foli për idetë dhe bashkëpunimet letrare në të ardhmen, për projekte konkrete që duhen aplikuar në të mirë të zhvillimit të sa më shumë eventeve dhe për teknikat e reja që rregullojnë marrëdhëniet dhe komunikimin krijues- lexues.
Bilall Maliqi diskutoi rreth rolit të forcës së fjalës dhe gjuhës në ruajtjen e identitetit shqip në Preshevë, angazhimit intelektual letrar atje dhe punës së vazhdueshme për të mbrojtur dhe përsosur këto vlera.
Edhe diskutimet e tjera kishin të njëjtin fokus dhe këndvështrim, shprehën shqetësimin real të autorëve, dëshirën e tyrë të madhe për të kontribuar dhe për të shërbyer në kulturën letrare shqiptare, angazhimin qytetar për të ndikuar dhe për të sjellë modele të reja emancipuse në shoqërinë e sotme shqiptare.
Largohemi nga Prishtina dhe me vete kemi marrur mbresat më të pashlyeshme që dinë të afrojnë vetëm aktivitete të tilla, largohemi duke shprehur mirënjohje për dy organizatoret e palodhura Hasije Selishta (Kryeziu) dhe Shefqete Goslaci, largohemi duke marrur me vete urimet më të pëzemërta të gjithë kolegëve tanë, largohemi me dëshirën e mirë por dhe premtimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Diasporës se vitin tjetër do rikthehemi sërish, më shumë, më të konsoliduar dhe me misionin e madh në shpirt, atë të sensibilizimit dhe lançimit të fjalës, gjuhës dhe kulturës tonë të bukur shqipe .

 nga Agron Shele






Geen opmerkingen:

Een reactie posten